Vol. 12 | No. 23-24, 2025


ARDHMËRIA E KOMBIT SHQIPTAR SIPAS AKADEMIK REXHEP QOSJES

Zeqirja REXHEPI, Zejnepe ALILI REXHEPI

Abstract

Shqiptarët njihen si një ndër popujt më të vjetër të Evropës, megjithatë ata u çliruan më vonë nga të tjerët. Gjatë historisë, shqiptarët kontribuan në ruajtjen e identitetit kulturor dhe politik të Evropës, por Fuqitë Evropiane, nuk i morën parasysh lutjet dhe kërkesat e shqiptarëve, as në Berlin (1878), as në Londër (1913) dhe as në Paris (1919). Shqiptarët me përpjekjet e veta e realizuan unifikimin kulturor, por nuk arritën ta vëjnë edhe unifikimin politik, sepse kjo nuk varej vetëm prej tyre, kështu mbetën të copëzuar politikisht pa formuar asnjë qendër të fuqishme administrative, politike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore, me të cilën do të identifikohej i tërë kombi. Për këtë çështe ka shkruar mjaft në veprat e tij Akademik Rexhep Qosja, që midis tjerash thotë: “E kemi mbijetuar marshin vrastar të historisë, por ka mbetur muri tragjik që e ka ndarë përgjysmë popullin tonë”. Fatet e popujve të vegjël, gjithnjë, i kanë përcaktuar “të mëdhenjtë”. Kështu ka ndodhur edhe me fatin e popullit shqiptar, ku padrejtësia ka qenë shumë e madhe, aq sa nikoqiri i konferencës së ambasadorëve në Londër, Eduard Grej, më 12 gusht 1913, duke dashur të arsyetohet para gjykimit të historisë, deklaron: “Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të mëdha nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes së Evropës”. Eduard Grej, nga varri ku pushon, duhet t’i përgjigjet historisë: A u ruajt paqja në Evropë nga sakrifikimi i shqiptarëve?

Pages: 379 - 382

DOI: https://doi.org/10.62792/ut.albanologjia.v12.i23-24.p3189